Siç paralajmëroi ministri i Brendshëm Taulant Balla në Kuvend, në Itali e Spanjë janë arrestuar dy shqiptarë të kërkuar nga drejtësia të cilët do të ekstradohen në vend.
I pari është Shkëlqim Cakoni, i cili ka vrarë Mark Rrikën në vitin 2005. Për këtë krim ai u dënua nga Gjykata e Kurbinit me 18 vite burg. Vrasjen e kreu në bashkëpunim me shtetasin Edmond Pulaj. Tanimë pas 19 vitesh arrati, ai ka rënë në prangat e policisë italiane.
Personazhi tjetër është Ermir Hebovija i cili po ashtu ishte në kërkim ndërkombëtar. Hebovija në bashkëpunim me persona të tjerë të armatosur me armë zjarri ka tentuar të vjedhë një argjendari në Shkodër, në vitin 2012. Asokohe mbeti i plagosur vëllai i pronarit të argjendarisë, Ruzhdi Çaku.