I dehur ishte, por instinktet për të vjedhur duket se i kishte të gatshme. Këto pamje që përcjell policia e Vlorës, tregojnë një 51-vjeçar dukshëm në gjendje të dehur, që afrohet drejt një furgoni të parkuar, hipën dhe largohet me të, si ta kishte mjetin e tij.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Kushtrimi” dhe sapo i zoti i furgonit kuptoi që mjetin ia kishin marrë, iu drejtua policisë. Kjo e fundit u vu në ndjekje të autorit të cilin e arrestoi vetëm disa minuta më pas.
E kur e kapi 51-vjeçarin ai jo vetëm që ishte i dehur, por s’kishte as patentë, ndërsa kjo nuk ishte hera e parë që ushtronte “profesionin” e vjedhjes.
“Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se i kishin vjedhur automjetin e parkuar në lagjen “Kushtrimi”, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë organizuar punën dhe janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u identifikua dhe u arrestua disa minuta pas vjedhjes së automjetit, autori i dyshuar, shtetasi D. R., 51 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas po e drejtonte automjetin e vjedhur, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Automjeti furgon tip “Benz”, i dyshuar i vjedhur nga shtetasi D. R., u sekuestrua në cilësinë e materiale”, tha policia e Vlorës.