Presidenti francez Emmanuel Macron nuk përjashton dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, nëse Moska depërton vijën e parë dhe Kievi e kërkon këtë.
Kjo deklaratë e kreut të Elizesë u bë gjatë një interviste për “Economist”.
Shefi i Elizesë tha se “nuk përjashtonte asnjë mundësi, pasi Europa po përballej – sipas tij – me dikë që po ashtu nuk përjashton asgjë.”
“Nëse rusët do të thyenin vijën e parë të frontit, nëse do të kishte një kërkesë ukrainase, gjë që nuk është rasti sot, ne në mënyrë legjitime duhet t’i bëjmë vetes pyetjen”, tha presidenti francez për të përjavshmen britanike.
“Të përjashtosh apriori nuk do të thotë të mësosh mësimin e dy viteve të fundit, kur vendet e NATO-s fillimisht kishin përjashtuar dërgimin e tankeve dhe avionëve në Ukrainë përpara se të ndryshonin mendje”, shtoi ai.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Moskës. Përmes zëdhënëses Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, Kremlini deklaron se këto deklarata janë të lidhura me ditët e javës.
“Me sa duket, kjo ka të bëjë me ditët e javës, ky është cikli i tij”, tha zëdhënësja.
Për presidentin e Francës, nëse Rusia fiton në Ukrainë, në Europë nuk do të kishte më siguri.
Deklarata të tilla, të shprehura edhe më herët nga Macroni, sillen sërish prej tij në vëmendje pasi disa analistë kanë paralajmëruar se Rusia është në prag të nisjes së një sulmi të madh në Ukrainë, që pritet të përparojë përtej 5 rajoneve të aneksuara, ndoshta për të shtënë në zotërim gjithë vendin e për të rrëzuar presidentin dhe qeverinë pro-perëndimore.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se 3800 bomba dhe raketa kanë rënë mbi Ukrainë vetëm në prill.
“Vetëm në prill, rusët përdorën më shumë se 300 raketa të llojeve të ndryshme, pothuajse 300 dronë dhe më shumë se 3200 bomba ajrore të drejtuara kundër Ukrainës, nga Sumy në Odessa, Dnipro, Kharkiv, Donetsk, Mykolaiv, Kherson. Terror çdo ditë dhe çdo natë. Mijëra jetë u shpëtuan falë ndihmës së vendeve që mbështetën mburojën tonë ajrore, për fat të keq, shumë jetë u morën nga këto sulme”, shkroi në Telegram presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.