Aktualitet Investitori strategjik shkon në SPAK, Artan Gaçi 4 orë para prokurorëve

Investitori strategjik shkon në SPAK, Artan Gaçi 4 orë para prokurorëve

Ish-deputeti socialist, Artan Gaçi, është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka është pyetur nga gazetarët “për çfarë ishte thirrur apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug”.

Por Artan Gaçi ka refuzuar të përgjigjet duke buzëqeshur para kamerave dhe më pas është larguar.

Bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka qëndroi për më shumë se 4 orë në SPAK, ku raportohet se është thirrur për të dhënë deklarime si person në dijeni për hetimin e nisur ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë, në lidhje me abuzimet me një sipërfaqe toke prej gati 11 mijë m2 në Dhërmi.

Artan Gaçi ishte paraqitur edhe më herët në SPAK në tetor të vitit të kaluar pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri.

Pak kohë më parë, Prokuroria e Posaçme, SPAK, i ka vënë shiritin e sekuestros edhe sipërfaqes së dytë të truallit të investimit strategjik të ish-deputetit Artan Gaçi në bregdetin e Dhërmiut. Sipërfaqja prej 5080 m2 është një nga dy sipërfaqet, regjistrimi i së cilave dërgoi në qeli ish-kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.

Sipas SPAK, nga hetimi paraprak ka rezultuar se të dyshuarit e kësaj çështjeje kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të sipërfaqes së sekuestruar, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.