Çështja Icardi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në shtëpinë e Inter-it. Trajneri i zikaltërve, Luciano Spalletti, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Sampdoria-n, por tema kryesore ka qenë ajo në lidhje me vendimin për t’i hequr shiritin e kapitenit argjentinasit.
“Gjëja e rëndësishme është të jemi të drejtë. Është një çështje korrektësie kundrejt skuadrës. Jemi shumë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin në dhomën e zhveshjes. Mund të thuhet se është marrë një vendim që nuk është kundër Icardi-t, por në favor të Inter-it“, ka thënë Spalletti.
“Ka qenë një vendim i dhimbshëm, sepse Icardi është një lojtar i fortë dhe ne duam t’i shfrytëzojmë cilësitë e të gjithë lojtarëve të fortë që kemi. Nuk është grumbulluar për ndeshjen kundër Sampdoria-s, sepse ka një problem në gju”.
“Edhe për Keita do të duhet të presim disa ditë më shumë“, ka zbuluar trajneri zikaltër, i cili ka folur edhe për sulmin kundër Wanda-s (makina e saj është goditur me gurë): “Shpresoj që të kapet përgjegjësi”.
Vendin e Icardi-t në formacion do ta marrë Lautaro. “Si do të ndryshojë Inter-i taktikisht? Do të shohim nëse Lautaro do të ketë të njëjtin ndikim si Icardi. Të gjithë mund ta shohim se ai ka një karakter të fortë. Gjithsesi kemi zgjidhje të tjera për sulmin: Politano ka luajtur disa herë sulmues te Sassuolo, por edhe Perisic mund ta mbulojë këtë rol”.
“Lautaro duhet të bëjë kujdes që të mos heqë fanellën, sepse është ndëshkuar disa herë me të verdhë për këtë arsye”, ka përfunduar Spalletti.