Polumbarët kanë mundur që të gjejnë trupin e pajetë të fëmijës së dytë që u mbyt bashkë me nënën në lumin Buna.
Dy ditë më parë është gjetur trupi i pajetë i motrës së saj, 9-vjeçares, e ndërsa palombarët e RENEA, efektivët e FA, peshkatarët e banorët e zonës vijojnë kërkimet për nënën e tyre, Alma Arrazi dhe djalit të vogël 3-vjeçar.
Ngjarja ndodhi katër ditë më parë, kur nëna Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët dyshohet se u hodh nga ura.
E gjithë ngjarje dyshohet se ka ardhur për shkak të dhunës në familje që ishte përballur prej disa kohësh Alma së bashku me fëmijët e saj nga kryefamiljari, Ergys Arrazi.
Megjithatë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha sot në një deklaratë për mediat nga Shkodra se nuk ka pasur një denoncim nga gruaja për dhunë familje nga bashkëshorti.
“Nuk ka pasur denoncim, por ndonjëherë nuk duhet të presim denoncimet, duhet të rrisim përmes inteligjencë policore, përmes bashkëpunimit për të marrë informacione”, u shpreh ministri.
Balla shtoi se ky është një moment reflektimi për Policinë e Shtetit, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë para se të ndodh tragjedia.
“Ne kemi përgjegjësitë tona si shoqëri në tërësi sepse duhet të japim më shumë vajzave dhe grave që ta denoncojnë, që ta kalojnë këtë momentin e vështirë, të dhunës në të gjitha format, na duhet një shkëputje nga kjo situatë në kuptimin e një reagimi mbarë shoqëror, sepse një rol të rëndësishëm këtu luan shoqëria”, u shpreh Balla.