44-vjeçari shqiptar, Augustin Kaza i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, 28 prill, në tarracën e një kafeneje në Brukselit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Lajmi është konfirmuar nga prokuroria e Brukselit.
Kaza u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Atentati u regjistrua të dielën në mbrëmje, më 28 prill, rreth orës 22:30 në “Joseph Brandstraat” në Schaarbeek të Brukselit.
Augustin Kaza ishte ulur në tarracën e një kafeneje, ku një burrë i maskuar duket teksa kalonte pranë tij, por papritur u kthye dhe e qëlloi katër herë. Kaza mori një plumb në kokë dhe tre në gjoks.
Autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, teksa vijojnë hetimet. Një ndër pistat që po hetohet është gjakmarrja.