Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, mëngjesin e së martës, kryesocialisti Edi Rama ka adresuar ndër të tjera çështjen e korrupsionit, që siç u shpreh ai duhet të ç’rrënjoset nga vendi.
Rama foli për pastrimin që duhet bërë në çdo hallkë, përfshirë këtu edhe vetë partinë që ai drejton.
“…Mbetet ende shumë punë për t’u bërë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.”
Rama pranoi se gjatë këtyre viteve që ka qenë në krye të qeverisë ka pasur, gabime, dështime e zhgënjime, por theksoi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Bashkimit Europian.
“Sepse nuk ka qenë ndonjëherë shtet më demokratik nga ç’është sot”, theksoi kreu i qeverisë.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek rëndësia e një sistemi të pavarur të Drejtësisë, duke theksuar se forca e tij politike në pushtet, është tërhequr nga çdo kontroll politik ndaj këtij organi.
“Ne jemi të çarmatosur. Jemi e para parti politike në Shqipëri që ka dorëzuar një armë që të gjithë të tjerët e kanë”, tha Rama.
Ai tha se edhe brenda partisë socialiste mbetet ende shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit duke theksuar se ka ende akoma punë për të pastruar nga “kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit”.
“E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri nuk është mundur ende si fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar dot imunitetit ndaj korrupsionit. Edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda partisë tonë mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit. Shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së padepërtueshme nga korrupsioni. Këtu nuk bën përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet prej tyre, por edhe agjencitë e pavarura, përfshirë edhe partitë politike, mediat shoqëritë civile, biznesi dhe vetë pushteti gjyqësor janë ende lehtësisht të arritshme nga oferta e korrupsionit”, tha Rama.