Autoritetet e Arabisë Saudite kishin dhënë leje edhe për vrasjen e personave që nuk pranonin të largoheshin nga tokat e tyre, për t’i hapur rrugë projektit “futurist” të ndërtimit të qytetit ekologjik në mes të shkretëtirës.
Akuza e rëndë vjen nga Koloneli Rabih Alenezi, ish-efektiv i shërbimit informativ në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në një rrëfim për CNN. Sipas tij, një prej fshatarëve që nuk pranonte të largohej ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.
BBC thotë se qeveria saudite dhe drejtuesit e projektit Neom nuk pranuan të komentojnë mbi akuzat.
Ndërtimi i qytetit të së ardhmes do të kushtojë 500 miliardë dollarë dhe është pjesë e “Vizionit 2030” të Arabisë Saudite, që synon të diversifikojë ekonominë përtej industrisë së naftës.
Flamuri i këtij projekti, “Linja”, është një qytet ekologji, pa makina, vetëm 200 metra i gjerë dhe 170 kilometra i gjatë. Megjithatë, brenda vitit 2030 vetëm 2,4 kilometra parashikohet të kenë mbaruar. Në këtë projekt, raporton BBC, janë të përfshira dhjetëra kompani perëndimore.
Lideri saudit, Princit të Kurorës, Mohamed bin Salman, e ka përshkruar zonën ku do të ndërtohet qyteti si “tokë pa njeri”, por sipas një grupi britanik të të drejtave të njeriut, më shumë se 6000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre deri tani.
Koloneli Alenezi, i cili ka fituar azil në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, tha se urdhri për të vrarë ishte dhënë për fshatin Al-Khurayabah, ku banojnë anëtarët e fisit Huwaitat. Sipas tij, urdhri ishte se mes tyre ka shumë rebelë dhe nëse vazhdojnë të kundërshtojnë mund edhe të vriteshin.
Një ditë pas nisjes së operacionit, Abdul Rahim Al-Hiwaiti, refuzoi komisionin e regjistrimit të vlerësonte pronën e tij dhe u qëllua për vdekje nga autoritetet saudite, thotë BBC. Para se të vritej ai kishte postuar video të ndryshme në mediat sociale kundër shpërnguljes dhe sipas autoriteteve saudite kishte hapur zjarr ndaj forcave të sigurisë të cilat ishin kundërpërgjigjur.
BBC nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e kolonelit saudit në ekzil, por një burim që ka dijeni mbi praktikat e veprimit të shërbimit inteligjent të Mbretërisë, tha se dëshmia e kolonelit përputhej me atë që ata dinin për misionin në fjalë.
“Mohamed Bin Salman nuk do të lejojë që asgjë të pengojë ndërtimin e Neom-it… Prandaj edhe unë nisa të shqetësohesha se çfarë do të më kërkohej t’u bëja njerëzve të mi”, tha koloneli Alenezi për BBC.