Nacionalistët VMRO-DPMNE fituan fuqishëm, në një natë kur vendi ballkanik zgjodhi gjithashtu lideren e parë grua të shtetit. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për Presidente të shtetit.
Profesoresha universitare dhe avokatja Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, tha pas fitores se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.
Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë. Megjithatë, profesoresha që garoi për postin edhe në vitin 2019, por humbi kundër Pendarovskit, është kritikuar për retorikën nacionaliste gjatë fushatës zgjedhore. Ajo propozoi formimin e një gjykate për luftën e UÇK-së së vitit 2001, një deklaratë e sulmuar si antishqiptare.
Ashtu si lideri i partisë VMRO-DPMNE, edhe Davkova kundërshton ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare, si kushte për zhbllokimin e procesit të integrimit. Megjithatë, është zotuar se nuk do të bllokojë një hap të tillë nëse do të sigurohet shumica prej 2/3 në Parlament.
Në programin e saj e cilëson Marrëveshjen e Prespës që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut si çështje të hapur dhe ka deklaruar se në fjalimet e saj para publikut do t’i referohet vendit si Maqedoni.
Po ashtu, kryeministri i ardhshëm refuzon të pranojë emrin Maqedonia e Veriut dhe ka premtuar të ndjekë linjë të ashpër ndaj Sofjes. Një qëndrim i tillë do ta çonte vendin drejt një qasjeje konfrontuese me fqinjët e do rrezikonte bllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Bullgaria ka kërkuar që Shkupi të ndryshojë kushtetutën e tij për të njohur pakicën e tij bullgare.
Në vitin 2022, Bullgaria ra dakord me një propozim të Presidencës së atëhershme franceze të Këshillit të BE-së për të hequr veton e saj për fillimin e negociatave të pranimit të Shkupit kur Maqedonia e Veriut të shtonte pakicën bullgare në kushtetutën e vendit.
LSDM-ja në pushtet ishte e përgatitur për të bërë ndryshimet, por nuk kishte një shumicë për të fituar votën parlamentare.
Votuesit në vendin ballkanik me 2 milionë banorë janë frustruar me progresin e ngadaltë të përpjekjeve të qeverisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili u prit me optimizëm në vitin 2005, por që atëherë është bërë një emblemë e premtimit të humbur të Maqedonisë së Veriut.
Korrupsioni i qëndrueshëm dhe zhvillimi i ngadaltë i kanë acaruar votuesit kundër partisë në pushtet.
Opozita ka të ngjarë të krijojë koalicione me partnerë më të vegjël për të fituar një shumicë në parlament. Diskutimet pritet të zhvillohen në ditët në vijim.
Ardhja e Mickovskit në pushtet rrezikon të trazojë edhe më shumë marrëdhëniet e brishta ndëretnike për shkak të gjuhës gjithmonë e më agresive që përdor kundrejt partisë më të madhe shqiptare, BDI-së së Ali Ahmetit.