Në takimin e zhvilluar në kuadër të “Ditës së Drejtësisë”, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se qeveria mbështet pa rezerva institucionet e drejtësinë.
“Ma bëni hallall se gjyqtarët nuk i kanë qejf fjalimet e gjata, por do bëjmë si do bëjmë. Pa një drejtësi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarit nuk do kemi kurrë demokraci dhe zhvillim ekonomik. Nuk mund të lë pa përmendur reformën në drejtësi që dita-ditës po konsolidon veten dhe po kthen besimin te qytetarët. Do vazhdojmë të mbështesim konsolidimin e një drejtësie të pavarur.
Fakt që sot kemi një sistem drejtësie me një arkitekturë moderne. Kemi ende sfida me të cilat përballemi çdo ditë. Sistemi i drejtësisë të funksionojë si një i tërë, kur flitet për ecurinë e reformës në drejtësi perceptimi shkon te SPAK.
Reforma në drejtësi nuk është veting dhe SPAK, por një ansambël i tërë organesh që kanë për mision kushtetues dhënien e drejtësisë. Në përfundim kam një falënderim dhe një ftesë. Falënderim për punën e mirë që kemi bërë deri tani me konsolidimin e drejtësisë së re. Ftesa e sinqertë është që të vijojmë punën e mirë që kemi bërë deri tani. Presim nga drejtësia të bëjë drejtësinë e munguar prej kohësh”, tha ndër të tjera ministri Manja në fjalën e tij.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, në rastin e Ditës së Drejtësisë, tha se Reforma në Drejtësi është më e rëndësishmja që ka ndodhur në Shqipëri pas vitit 1990. Balla tha se sfidë për sistemin e drejtësisë është ende plotësimi i vendeve vakante që mbetën nga vetingu.
“Reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme që ka ndodhur në Shqipëri që prej ’90 e këtej, reforma në drejtësi erdhi si rezultat edhe i përpjekjeve për t’u anëtarësuar në BE. Përpjekjet reale për të përmirësuar sistemin e drejtësisë, për pavarësi, efektivitet u arrit vetëm nëpërmjet implementimit të reformës në drejtësi dhe ku u vu theksi për respektimin e pavarësisë.
Aktualisht, me ndryshimet ligjore, prokurori është i pavarur dhe i paanshëm dhe i lirë nga çdo ndikim politik dhe garant për këtë është kushtetuta dhe KLP.
Koha në dispozicion të drejtësisë ka qenë e pakët. Aktualisht, prokuroria dhe gjykata po përballen me sfida, sfida e plotësimit të vendeve të mbetura vakante nga vetting. Kemi sfidën e konsolidimit të organeve të reja atë të drejtësisë. Krijimi i organeve të drejtësisë siguron pavarësinë e tyre”, tha Balla.