Falë motit të ngrohtë, por edhe shtimit të fushatave publicitare nga blogerët e huaj, turizmi në Shqipëri është zgjatur përtej sezonit tradicional.
Vjet në muajt tetor-nëntor hynë rreth 500 mijë shtetas të huaj, veçanërisht në muajin tetor, hyrjet e turistëve të huaj pothuajse u dyfishuan.
Në tre muajt e parë të këtij viti në vend kanë hyrë 1.5 milionë shtetas të huaj, me rritje prej 43% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas shifrave të INSTAT.
Por pavarësisht shtimit të fluksit të tyre në bare dhe restorante, konsumi sipas Enri Jahja është përmirësuar vetëm në zonat turistike apo në restorantet afër qendrës së Tiranës.
“Vjet konsumi në bare dhe restorante ishte i ulët për shkak të emigracionit dhe rënies së fuqisë blerëse. Ardhja e turistëve balancoi konsumin e munguar, por pati rritje të lehtë vetëm në zonat e pompuara si Ksamil, Sarandë etj.
Ecuria e konsumit shfaqet me rënie edhe në 3-mujorin e parë të këtij viti, nën ndikimin e muajit të Ramazanit, përveç restoranteve me ushqim tradicional apo produkte zgare afër qendrës, pasi ka frekuentim të turistëve”, veçon Jahja.
Në restorantin “Era”, në zonën e ish-Bllokut, ku çmimet nuk kanë pësuar ndryshime të shpeshta, numri i turistëve të huaj frekuentues vijon të mbetet i lartë.
Nga stafi i shërbimit u pohua se rreth 80% e klientëve të restorantit janë vizitorë të huaj.
Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve që po vizitojnë Tiranën, qytetet historike si Kruja dhe ato bregdetare, në muajin prill, përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahja ngre sërish shqetësimin se strukturat e shërbimit ende nuk janë ende për nisje të hershme të sezonit turistik, pasi vijojnë të mos gjejnë staf për rekrutime të reja./Monitor