Teksa takimi i tij në Greqi është konsideruar si provokues, për shkak se vjen në 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, kryeministri Edi Rama i ka përçuar mesazhe të qarta Athinës.
Rama është shprehur se në Shqipëri asnjë grek etnik nuk ka pasur kurrë, asnjë hall apo problem për shkak të origjinës së tij. Ndalur te çështja e pronave, ai tha se ky është një problem që po përballen shqiptarët e Shqipërisë, dhe jo vetëm grekët në Shqipëri.
“Duhet të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë lojërave politike me topin katror ballkanik, është se asnjë hall i tyre nuk i ndryshëm nga hallet dhe problemet shqiptare. Ama kurrë asnjë rast një grek etnik në shqiptarinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij, kurrë. Në asnjë rast grekëve etnik nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës, kurrë. Asnjëherë në asnjë rast, qytetarëve grek të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes. Nuk i është mohuar as e drejta e pronës. Prona është një problem për shqiptarët e Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët në Shqipëri”, tha Rama.
Ai tha se fatet e Shqipërisë dhe Greqisë janë të pandashme.
“Kërkesa jonë e vetme ndaj Greqisë është respekt reciprok, kujdesit reciprok që jetojnë në dy shtetet tona, marrëdhënie të mira të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik si çështje për t’u zgjidhur mes nesh, por edhe për sfida të mëdha të kësaj botë të re”, përfundoi kryeministri.
Me këtë takim nis turi i kryeministri Edi Rama me diasporën shqiptare. Ky takim nga Greqia është konsideruar si provokim, për shkak se mbahet në 12 maj, në 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit. Pas Athinës, Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët atje.