Me mbarimin e takimit të tij me mijëra shqiptarë në Athinë ditën e diel, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të shkurtër për median greke “Star”.
I pyetur se a është zgjedhje krejt rastësore data 12 Maj, që shënon fiks një vit që nga arrestimi i Fredi Belerit, kryeministri e mohoi në formë absolute.
Ai u shpreh se kjo është “një histori e politikës greke dhe që s’ka të bëjë me Shqipërinë”.
Më tej ai shtoi se ka shpresë në përmirësimin e raportit mes dy vendeve, pasi sipas tij qytetarët grekë e shqiptarë meritojnë një politikë më të mirë.
Intervista e shkurtër:
-Para një viti u arrestua Beleri, dhe fiks në të njëjtën datë mbahet ky event. Kanë ndonjë lidhje me njëra-tjetrën?
Edi Rama: Nuk ka asnjë problem dhe asnjë histori për ne, kjo është një histori e politikës së Greqisë. Nuk ka të bëjë fare me ne!
-Më thuaj, si i sheh marrëdhëniet shqiptaro-greke?
Edi Rama: Jam shpresëplotë që do arrijmë të bëjmë diçka që përputhet me marrëdhëniet fantastike të njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë dhe Greqisë. Ata meritojnë më mirë se kaq dhe ne duhet t’u ofrojmë politika më të mira.