Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e konsideron tepër të rëndë vrasjen e policisë në Fier.
Në një prononcim për mediat në ambientet e jashtme të institucionit që drejton, Balla i ka bërë thirrje autorit të dorëzohet, ndërsa nga policia kërkon arrestimin sa më shpejt të tij.
“Dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e Policisë së Shtetit që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit dhe e them shpesh që duhet të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie e më rëndë se kaq të përdorësh armën.
Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje por gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi Policinë e Shtetit është pjesa që lidhet me identifikimin e menjëhershëm të autorëve. Kam besim që Forca Kombëtare e Sigurisë, forca RENEA dhe gjithë forcat e Policisë së Shtetit të konkludojnë dhe këtu dua t’i bëj thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndon akuza, të dorëzohet”, u shpreh Balla.