Vrasja e Enkeleida Danajt në Greqi ka tronditur banorët e Menidit, aty ku ndodhi krimi. Një prej banoreve ka dhënë një dëshmi rrëqethëse pas ngjarjes.
Ajo tregoi se vajza e 40-vjeçares ka ardhur pranë vendit të ngjarjes në gjendje shoku, duke folur në celular dhe duke thënë se i ati i vrau mamanë.
“Një vajzë e vogël erdhi pranë skenës së krimit dhe tha se “mbase është mamaja ime”, ndërkohë që vetëm qante. Ajo i tregoi një foto policisë dhe kështu ato mundën që të identifikojnë mamanë e saj. Ajo tha se e ëma nuk kishte shkuar në punë sot dhe pasi i tregoi foton policisë tregoi se babai i saj e ka vrarë atë”, tha dëshmitarja sipas asaj që raporton Protothema.
Sipas pretendimeve të banorëve, çifti kishte blerë një banesë në zonë.
“Po fliste në celular dhe thoshte, “më vranë mamin, më vranë mamin”, ishte shumë e shokuar. Ajo thoshte fliste dhe thoshte “ndoshta babai e vrau atë, e gjeti rrugës për në punë””, tregoi dëshmitarja.
Siç thotë ajo me shumë mundësi vajza fliste me vëllain duke i thënë atij: “Babi vrau mamin”.
Enkeleida Danaj dyshohet se u vra nga bashkëshorti, Eduard Danaj, 50 vjeç. Ajo e kishte denoncuar disa herë atë për dhunë në familje.
Madje të premten ai duhej të dilte para gjykatës në lidhje me denoncimin e saj më të fundit që kishte ndodhur rreth 9 ditë më parë.
Madje siç kanë raportuar mediat, dyshohet se ai ka dhunuar edhe vajzën.
Trupi i pajetë i viktimës u pikas nga një kalimtar i rastit në një kryqëzim në Menidi. Mediat greke shkruan se 40-vjeçarja u gjet me thikën të ngulur në bark. Enkeleida ishte nisur në punë ku mendohet se autori i ka zënë pritë. Ai e goditi me thikë në stomak dhe më pas u zhduk. Krahas viktimës u gjet çanta me sendet e saj personale.
Ndërkohë policia po këqyr kamerat e sigurisë si dhe po kërkon për dëshmitarë për të zbuluar më shumë rreth dinamikës së ngjarjes.