Qeveria holandeze e ardhshme e udhëhequr nga partia nacionaliste e Geert Wilders do të kërkojë të heqë dorë nga rregullat, jo aq të ashpra sipas saj, të migracionit të Bashkimit Evropian, pasi po përballet me një krizë azili.
Wilders arriti një marrëveshje për të formuar atë që do të jetë qeveria më e djathtë në Holandë në dekada, pothuajse gjashtë muaj pas një fitoreje të madhe zgjedhore.
Në planin e saj qeveritar, koalicioni katërpartiak thotë se do të synojë regjimin më të rreptë të azilit me kontrolle më të forta kufitare dhe rregulla më të ashpra për azilkërkuesit që mbërrijnë në Holandë.
“Një klauzolë e përjashtimit për politikat evropiane të azilit dhe migracionit do t’i dorëzohet Komisionit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur,” bëri të ditur në një deklaratë koalicioni i Wilders.
Migrimi për motive punësimi gjithashtu do të frenohet dhe pranimi i studentëve të huaj në universitetet holandeze do të bëhet më i rreptë. Marrëveshja bashkon Partinë e Lirisë së Wilders dhe atë qendrës së djathtë të kryeministrit në largim Mark Rutte, partinë e re NSC dhe partinë protestuese të fermerëve BBB në një koalicion me një shumicë të fortë prej 88 vendesh në Dhomën e Ulët prej 150 vendesh.
Është ende e paqartë se kush do të bëhet kryeministër pasi Wilders, i njohur për pikëpamjet e tij të hapura mbi Islamin, në mars u zotua të heqë dorë nga ky rol.
Qeveria e re ka deklaruar se do të vazhdojë mbështetjen politike dhe ushtarake për Ukrainën dhe do ta bëjë ligjërisht të detyrueshme shpenzimin e të paktën 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, në përputhje me marrëveshjet e NATO-s.
Palët synojnë të ndërtojnë katër reaktorë të energjisë bërthamore në dekadën e ardhshme dhe zotohen të lehtësojnë barrën e rregullave mjedisore për fermerët.