Universiteti i Mjekësisë në Tiranë ka nderuar Prof. Sergio Caputi, ish Rektor i Universitetit “ Gabriele d’Annunzio”të Chietit në Itali, me titullin “Honoris Causa”, për kontributin e shquar që ka dhënë në fushën e Stomatologjisë në Shqipëri.
Titullin për këtë kontribut të çmuar ia dha Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Kryetar i Senatit Akademik, Prof. Arben Gjata.
Në fjalën e tij, Prof. Gjata e cilësoi partneritetin mes dy universiteteve shumë të rëndësishëm për mjekësinë dhe stomatologjinë në vend sidomos për studentët.
“Jam shumë i gëzuar që përmes bashkëpunimit të ngushtë mes universiteteve tona, t’ju kemi pjesë të ekipit tonë”, tha Prof. Arben Gjata.
Prof. Sergio Caputi është një ndër figurat më të shquara akademike në fushën e mjekësisë dentare dhe njëkohësisht një mbështetës dhe nxitës i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e mjekësisë.
Dekania e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Prof. Edit Xhajanka e cilësoi angazhimin e rëndësishëm të Prof. Caputit në thellimin e bashkëpunimit mes dy Universiteteve, vlerë të çmuar në rritjen profesionale të studentëve shqiptarë në fushën e mjekësisë dentare dhe faktor të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e Fakultetit të Mjekësisë Dentare në UMT.
Në fjalën përshëndetëse me këtë rast Prof. Edit Xhajanka, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, shprehu mirënjohjen në emër të Senatit Akademik, për dhënien e titullit të nderit “Honoris Causa”, Profesor Sergio Caputit si një shkencëtar i shquar në fushën e mjekësisë dhe të stomatologjisë, me një kontribut të veçantë edhe në hapjen e dy programeve të përbashkëta Master të Fakultetit të Mjekësisë Dentare me Universitetin e Chietit.
“Të nderuar anëtarë të Senatit Akademik, i nderuar Profesor Sergio Caputi. Do të doja të shprehja mirënjohjen time për nderimin nga Senati Akademik me titullin e nderit “Honoris Causa”, të një shkencëtari të shquar e të nderuar, njëkohësisht edhe mik i Fakultetit të Mjekësisë Dentare, në Universitetin e Mjekësisë,Tiranë”, tha Prof. Edit Xhajanka.
Prof. Xhajanka theksoi se “kënaqësia, është akoma më e madhe kur mendoj se Profesor Sergio Caputi, është akademiku i parë i fushës së stomatologjisë (mjekësisë dentare) që nderohet nga Senati ynë”.
Nga ana e tij Prof. Sergio Caputi theksoi se “Kjo është një gjë shumë e bukur për mua dhe më jep akoma më shumë forcë për të çuar më tej bashkëpunimin jo vetëm midis dy Universiteteve tona, por edhe më gjerë, midis dy vendeve tona Shqipërisë dhe Italisë”.
Në një intervistë për mediat e pranishme Prof. Sergio Caputi ndau emocionet e veçanta për vlerësimin me titullin “Honoris Causa”, nga UMT.
Ai i shpreh se “…absolutisht, kemi krijuar mastera ndërkombëtarë mes universitetit tonë dhe Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, po ndërtojmë, organizojmë doktoratura për punë kërkimore të përbashkëta mes dy vendeve, shkëmbime Erasmus, si për pedagogët ashtu dhe për studentët; pra bashkëpunim për punën kërkimore, për publikimin e artikujve shkencorë. Kështu, gjithçka që mund të bëhej në kuadër të universitetit është bërë dhe tani po implementohet. Natyrisht, për sa mund të bëj unë, do të mundohem t’i sjell një gjithëpërfshirje kulturore akoma më të madhe, që shkon përtej kuadrit universitar”, u shpreh Prof. Caputi.
Ai vuri në dukje se bashkëpunimi midis dy Universiteteve (Shqipëri- Itali) ka forcuar ndërkombëtarizimin në fushën e mjekësisë, ndërveprim që do të thellohet më tej edhe në të ardhmen.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të institucioneve të linjës akademikë të fushës së mjekësisë dhe të ftuar të tjerë.