Pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, GJKKO ka firmosur 43 urdhër-arreste për personazhe të botës së krimit. Deri më tani janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre, ku 2 masa janë komunikuar në qeli.
Në kuadër të këtij operacioni të SPAK është shpallur në kërkim ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe dy ish-anëtarët e bandës së Durrësit, Endrit Dokle dhe Plaurent Dervishaj, kunati i Lulzim Berishës.
Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, por burime bëjnë me dije se janë zbardhur disa ngjarje kriminale.
Dyshohet se Prokuroria e Posaçme ka mundur të zbardhë disa vrasje në zonën e Durrësit, Fushë-Krujës dhe Lezhës, por edhe në Tiranë.
Mbetet për t’u parë se cilat janë këto ngjarje, ndërsa duhet theksuar se ky në fakt është një ndër operacionet më të mëdha të viteve të fundit, kundër krimit të organizuar në vend
Prej orës 03:00 të mëngjesit të 17 majit, më urdhër të SPAK, Policia, RENEA, FNSH dhe Operacionalja po ushtrojnë kontrolle në disa qytete të vendit Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin.
Për llogari të operacionit të ndërmarrë mëngjesin e sotëm, po ekzekutohen mbi 10 masa sigurimi “arrest në burg” në Tiranë, ndërsa në total janë 43 urdhër-arreste. Mes urdhër arresteve personazhe të njohur të botës së krimit.
Forcat e Policisë së Shtetit, të mbështetura nga RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në banesa të anëtarëve të fisit Abdulaj në Shijak dhe familjes Bami në Fushë-Krujë.
Ndërkohë, kontrolle ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, të cilat kanë nisur që prej orës 04:00 të mëngjesit dhe janë kontrolluar banesa për persona që janë në kërkim ose me precedentë.