Tre punonjës policie janë shpallur në kërkim pasi ndaj tyre janë lëshuar urdhër-arreste nga SPAK në lidhje me operacionin e sotëm për goditjen e grupeve kriminale.
Në kërkim është shpallur Ergert Mitri, i cili aktualisht është specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Më herët ka qenë drejtues i Policisë së Lezhës.
Në kërkim janë gjithashtu efektivi Klodian Shahini dhe Altin Morina, ky i fundit ish-efektiv i RENEA-s.
Altin Morina ka qenë i arrestuar në Mars të vitit 2023 pasi në makinën me të cilën lëvizte iu gjetën 113 mijë Euro.
Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.
SPAK ka lëshuar sot 43 urdhër-arreste pasi ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku janë të përfshirë personazhe të njohur të botës së krimit dhe policë.