Aktualitet SPAK godet klanet kriminale, dalin pamjet e aksionit të RENEA-s dhe FNSH-së...

SPAK godet klanet kriminale, dalin pamjet e aksionit të RENEA-s dhe FNSH-së (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar pamjet e aksionit policor ditën e sotme pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK për goditjen e grupeve kriminale.

Janë mbi 40 fletë arresti, teksa janë arrestuar disa persona ndërsa shumë të tjerë janë të shpallur në kërkim.

Deri më tani janë ekzekutuar 9 urdhër arreste, ndërkohë në listë ndodhen emra të njohur të botës së krimit si Leonard dhe Erlis Duka , Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Durim Bami, Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni si dhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka, për të cilin policia zhvilloi një aksion në Lezhë dhe Shëngjin.

Ndërkohë, në pranga ra Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca. Ai ishte lënë i lirë pak ditë me parë nga Gjykata e Lezhës pasi ishte arrestuar për kultivim droge. Bashkë me të është arrestuar edhe djali i xhaxhait të deputetit.

Aksioni në Shkodër është finalizuar me kapjen e biznesmenit nga Velipoja, Mir Bruli. Ai është i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Bruli rezulton të jetë i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka i cili është arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza”.

Në Tiranë, kontrollet u shtrinë në zonën e Freskut në banesat e fisit Duka, të njohur si rivalë të Ervis Martinaj.

Në Larushk të Fushë-Krujës agjentët hynë në shtëpinë e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i Posaçëm për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.

Edhe në Vlorë janë kontrolluar banesa për persona që janë në kërkim ose me precedentë. Deri më tani mësohet se janë verifikuar dy shtëpi, por nuk janë gjetur personat për të cilët ishte dhënë masa e arrestit.

Forcat e Policisë së Shtetit, të mbështetura nga RENEA dhe FNSH zbarkuan gjithashtu në banesat e anëtarëve të fisit Avdylaj në Shijak. Astrit Avdylaj, i njohur me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.

Operacion policor vijon ende.