U nda nga jeta, sot në mëngjes, aktori i teatrit “Petro Marko” të Vlorës, Vasillaq Godo.
Godo ishte 81 vjeç.
Godo ka luajtur në disa filma shqiptarë duke spikatur në rolet e tij ndërsa karrierën e tij artistike e ka zhvilluar në teatrin e Vlorës.
Godo lindi në Vlorë me 15 shkurt 1943 dhe është ndër aktorët themelues të teatrit “Petro Marko” që në vitin 1962. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1967. Ka realizuar mbi 90 role, duke qenë një ndër aktorët më kryesorë të këtij teatri.
Ndër rolet e spikatura janë ato të realizuara në pjesët: “Një dashuri e tillë (Vasllav Kral), “Për ata që janë në det”, “Sezoni dimëror i kafe Rivierës”, “Tre mendjet në ankand” (Profesori), “Rinoqeronti”, “Njeriu i borës”, “Terroristi i një qyteti” “S.O.S në hotel”, ”Para semaforit” (Cecea), “Shpirti i ujkut” (Aleksi).
U aktivizua gjithashtu edhe në disa filma shqiptarë si tek: Vëllezër dhe shokë”, 1980, “Një emër midis njerëzve”, 1983, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, 1989, “Jeta në duart e tjetrit”, 1990, “Një ditë e mrekullueshme”, 2003, “Shqiptari”, 2010 dhe më i fundit është ai në rolin e një polici tek “Pharmakon” ne 2012.