Zgjedhjet e parakohshme në Britani do të mbahen më 4 korrik, pas një lëvizje surprizuese nga kryeministri Rishi Sunak.
Përmes një deklarate në “Downing Street”, kryeministri britanik Rishi Sunak ka njoftuar se më datë 4 korrik do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në Britaninë e Madhe.
Pak më herët ai mblodhi me urgjencë kabinetin qeveritar. Ai u shpreh krenar për punën e tij deri më tani, duke theksuar se i ka dorëzuar dorëheqjen Mbretit Charles, dhe ky i fundit e ka pranuar.
“Javët në vazhdim do luftoj për çdo votë”, nënvizoi Sunak.
“Është momenti të vendosim për të ardhmen e Britanisë. Qeveria ka krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar. Jemi krenar për çfarë kemi arritur, që nga dhënia e fondit për NHS, vendosja e sigurisë së energjisë mbi “dogmën mjedisore” e deri te rritja e shpenzimeve të mbrojtjes. Ne morëm vendimin për të investuar në transportin lokal, ndaluam emigracionin e paligjshëm me skemën Ruanda. Qeveria ka punuar vazhdimisht që brezi i ardhshëm të rritet pa tymosur duhan. Unë do t’ju dëshmoj se një qeveri konservatore nuk do ta rrezikojë në asnjë mënyrë stabilitetin ekonomik të vendit”, shtoi ai.
Kritika pati për laburistët. “Unë nuk e di se çfarë ofrojnë ata, dhe të jem i sinqertë, besoj se nuk e dini as ju.”
Sipas Sunak, më 5 Korrik 2024, një ditë pas zgjedhjeve, ose ai ose Sir Keir Starmer do jetë kryeministër i Britanisë së Madhe.
Ndërkohë rivalin e tij politik e akuzon se “ka bërë gjithçka për të arritur pushtetin”.
Epërsia e Partisë Laburiste të drejtuar nga Sir Keir Starmer ndaj Partisë Konservatore në pushtet, e udhëhequr nga Sunak, u zgjerua në 18 pikë përqindjeje, sipas një sondazhi të botuar të shtunën.
Ky sondazh nga instituti i Kërkimeve Opinium parashikon që Laburistët të marrin 43% të votave, krahasuar me 25% që do të shkojnë për konservatorët. Një sondazh i mëparshëm nga i njëjti institut shihte Laburistët si kryesues me 16 pikë.
Liderët e dy partive e kanë kthyer tani ekonominë në temën kryesore të betejës zgjedhore. Sipas sondazhit të Opinium, laburistët kanë një epërsi në debatin mbi çështjet ekonomike, me votuesit që supozojnë se do të përmirësojnë shërbimet publike dhe do të përmirësojnë gjendjen e ekonomisë britanike.
Një tjetër sondazh i YouGov, i kryer në emër të gazetës The Times dhe i botuar më 9 maj, i vendosi laburistët përpara me një diferencë shumë më mbresëlënëse, rreth 30 pikë përqindje.
Konservatorët kanë qenë në qeveri, qoftë si një parti e madhe e koalicionit ose më vete, që nga viti 2010. Kjo periudhë është shënjuar me kriza historike, përfshirë edhe Brexit, apo pandeminë e koronavirusit, ndërkohë që nuk kanë munguar grindjet e brendshme partiake, që kanë bërë që Britania të qeveriset në vitet e fundit nga pesë kryeministra konservatorë.