Presidenti Bajram Begaj priti të enjten Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila në konferencën e përbashkët për shtyp deklaroi se është e kënaqur nga lufta e vendit tonë kundër korrupsionit.
“Asnjë shtet nuk është imun ndaj korrupsionit dhe krimit, por jam e kënaqur nga lufta juaj kundër korrupsionit. SPAK-u juaj gëzon një besim të çmuar”, theksoi Musar.
Presidentja sllovene premtoi se vendi i saj do të jetë gjithmonë mbështetës i Shqipërisë në rrugën evropiane.
“Mund të them se Sllovenia është një prej shteteve kyçe në votimin për integrimin në BE”, theksoi Musar.
Më tej, Musar nënvizoi se stabiliteti i BE-së varet nga stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Kur u pyet nëse BE-ja është e gatshme për të pranuar Shqipërinë, Presidentja sllovene u përgjigj: “Zgjedhjet evropiane janë shumë të rëndësishme. Parlamenti Evropian është institucioni ku dëgjohet fjala jonë (e qytetarëve të BE-së) dhe varet shumë nga anëtarët e BE-së kjo gjë. Ky nuk është proces i lehtë, pasi më kujtohet edhe procesi i integrimit të Sllovenisë para 20 vitesh. Shpesh, edhe vullneti për të hyrë në BE zvogëlohet, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. Por, duhet të kemi mençurinë të bëjmë detyrat për të kryer procesin e integrimit”.