Një makinë ka përfunduar në oborrin e një banese private në Tiranë. Policia Rrugore njofton se në lidhje me këtë ngjarje ka arrestuar shoferin.
Sipas hetimeve ka rezultuar se ai ka qenë me shpejtësi pavarësisht se lëvizte në qendër të banuar, duke humbur kontrollin e mjetit. Si pasojë është futur brenda rrethimit të brendshëm të një banese private.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar.
Por nuk mbaron me kaq. Autoritetet njoftuan se shoferi ka manifestuar sjellje të dyshimta në raport me kërkesat ligjore që i bënin punonjësit e policisë.
Për këtë arsye iu bë një test dhe rezultoi se ishte nën efektin e drogës si dhe në gjendje të dehur.
“Sa më sipër, u bë menjëherë kapja në flagrancë e drejtuesit të automjetit si i dyshuar për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, njoftoi policia.