Pas një pritjeje të gjatë, ish-ministri Ilir Beqaj doli nga SPAK me të gjitha materialet e dosjes së “Sterilizimit”.
Beqaj shihet me një kuti kartoni në duar, ndërsa avokati i Ermal Yzeiraj e ndjek nga pas me një valixhe brenda të cilës janë të gjithë fashikujt e dosjes së Sterilizimit. Teksa dilte nga ambientet e SPAK, ish-ministri u shpjegua para gazetarëve se duhet të kishte me vete valixhen pasi dosja është e madhe dhe nuk kishte mënyrë tjetër transporti.
Pyetje: Zoti Beqaj me valixhe me vete…për dokumentat?
Ilir Beqaj: Dokumenta janë këto…përderisa dosja është e madhe…
Kujtojmë se muajin e shkuar, ai arriti të njihej me dosjen në mënyrë elektronike. Nëpërmjet një USB-je, mori të gjithë fashikujt e dosjes. Kjo pas vendimit të GJKKO-së.
Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” sa i takon koncesionit për asetet kirurgjikale. Të pandehur për të njëjtën çështje janë dhe 8 persona të tjerë. Mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy janë vënë në pranga në Gusht të 2023-it.