Greqia është e përgatitur që gjatë muajve të verës ti zgjerojë ujërat e saj territorialë në detin Jon.
Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougalos, deklaroi të premten se në fokus të negociatave me Shqipërinë dhe Italinë do të jetë demarkimi i zonave ekskluzive ekonomike.
“Sigurisht që marrëveshje të tilla duan vullnetin e të gjithë krahëve politikë. Ndaj dhe kryeministri Tsipras është zotuar që vendimi të parashtrohet për një debat të gjerë në parlament në mënyrë që të mos ketë dyshime rreth kushtetutshmërisë së ligjit. Kemi bërë mjaft progres në rilevimin e zonave ekonomike dhe jemi të sigurt se çdo marrëveshje e mundshme me dy shtetet e tjera do të jetë në përputhje me ligjet tona dhe ligjet ndërkombëtare”.
Komentet e Ministrit Katrougalos u bënë në kontekstin e një intervistë që kryeministri shqiptar Edi Rama dha të enjten për një televizion shqiptar.
Një frazë e Kryeministrit për ripërcaktimin e kufijve mes dy vendeve u keqinterpretua nga mediat greke sikur kishte të bënte me kufijtë tokësorë dhe jo ata detarë.
Në një reagim të mëpasshëm një burim diplomatik në Ministrinë e Jashtme ghreke tha se kufijtë tokësorë mes dy vendeve janë të paprekshëm, kusht ky i theksuar edhe në një pakt miqësie që të dy vendet kanë nënshkruar në vitin 1996.
Delimitimi i ujërave territorialë mes Shqipërisë dhe Greqisë vazhdon të jetë pjesë e negociatave intensive që pas janarit 2010 ku Gjykata Kushtetuese në Tiranë anuloi marrëveshjen pasi shkelte Kushtetutën dhe Konventën e OKB-së për ligjin e detit.