Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ndodhet mes dy zjarresh pas planit të bërë publik nga presidenti amerikan Joe Biden që do t’i jepte fund luftës në Gaza brenda 6 javësh.
Në njërën anë janë protestat e dhunshme në rrugë dhe komuniteti ndërkombëtar që i kërkojnë të pranojë draftin që kthen pengjet në shtëpi dhe tërheq ushtrinë nga Gaza dhe në krahun tjetër janë ministrat e ekstremit të djathtë që ka në qeveri të cilët e kanë kërcënuar me dorëheqje nëse pranon t’i japë fund luftës pas shkatërruar Hamasin.
Ministri i Financave dhe ai i Sigurisë kombëtare thanë se do të tërhiqeshin nëse arrihej tani një marrëveshje. Gjithsesi Netanjahu ka marrë mbështetjen e kreut të opozitës për të ecur më tej me planin e armëpushimit.
Propozimi i Biden ishte i ndarë në 3 faza dhe që do të çonte në tërheqjen e ushtrisë izraelite, lirimin e të gjithë pengjeve dhe të burgosurve dhe nisjen e një plani për rindërtimin e Gazës.
Sinjale pozitive tha për draftin edhe Hamasi ndërsa në favor të tij përveç SHBA-ve u deklaruan edhe Egjipti dhe Katari. Më shumë se 36 000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i sulmit izraelit.