Kylian Mbappe ka nënshkruar kontratën e re me Realin e Madridit. Lajmi konfirmohet edhe nga BBC, e cila shkruan se francezi, një nga lojtarët më të mirë në botë aktualisht, do t’i bashkohet kampionëve të Europës menjëherë pas skadimit të kontratës me PSG më 30 qershor, si lojtar i lirë.
Në shkurt, francezi pranoi se do të transferohej në “Bernabeu, ndërsa në muajin maj njoftoi se do të largohej nga PSG në fund të sezonit.
Sipas BBC, Reali do të bëjë publike javën e ardhshme marrëveshjen, ndërsa pas Euro 2024 do të bëhet edhe prezantimi zyrtar në Bernabeu.
Mbappe, fitues i Kupës së Botës në vitin 2018, është golashënuesi më i mirë në historinë e PSG me 256 gola.
Sipas BBC, ai ka rënë dakord për një marrëveshje me Realin deri në vitin 2029, nga e cila pritet të përfitojë 15 milionë euro në sezon, plus 150 milionë euro vetëm për nënshkrimin, të cilat do të paguhen në formë bonusesh gjatë pesë viteve të ardhshme, si dhe do të ketë edhe një përqindje në të drejtat e imazhit të tij.
Reali sapo fitoi trofeun e 15 të Champions League, si askush tjetër, por sërish do të vijojë të jetë dominues në futbollin Europian, teksa veç yjeve aktualë, tashmë do të ketë nën urdhrat e strategut italian Ancelotti edhe talentin francez, Mbappe.