Problemet në mbrojtjen e Italisë nuk kanë të ndalur. Pas Acerbit që la grumbullimin për shkak dëmtimi, një tjetër sinjal negativ për trajnerin Luciano Spalletti mbërriti nga Bergamo.
Giorgio Scalvini ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen mes Atalantës dhe Fiorentinës, për të ndërprerë udhëtimin drejt Gjermanisë.
Mbrojtësi do t’i duhet të humbasë kampionatin europian pasi u dëmtua në minutat e fundit të sezonit. Testet mjekësore nxorën në pah këputjen e ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë.
Një dëmtim që mbyll jo në mënyrën e duhur sezonin për mbrojtësin e Atalantës, ndërsa lajm i mirë për rivalët e Euro2024.
Për 20-vjeçarin nuk do të ketë zëvendësues kokë më kokë, pasi Spalletti ka identifikuar Gattin si të zgjedhurin për të mbuluar hapësirat në mbrojtje të tij edhe të Acerbit.
Mbrojtësi i Juventusit është thirrur nga Spalletti për t’iu bashkuar skuadrës së Axurrëve në Coverciano, duke shtuar alternativat në prapavijë. Ai do të bashkohet me shokët e skuadrës për të nisur përgatitjet për Kampionatin Evropian. Qendërmbrojtësi 25-vjeçar i bardhezinjve ka bërë vetëm tre paraqitje për kombëtaren në të kaluarën, me paraqitjen e tij më të fundit në fitoren 5-2 ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor.
Dëmtimi i Scalvini bën që Italia të humbasë cilësi në prapavijë, diçka që i pëlqen jo pak rivalëve, mes të cilëve edhe Shqipërisë. Kuqezinjtë janë kundërshtarët e parë të kampionëve të Europës në Euro2024, ndaj të cilëve duan të marrin maksimumin.