Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 3 llogari bankare të një shoqërie italiane me bazë në Shqipëri. Në njoftimin e bërë publik nga Prokuroria, janë sekuestruar 10 milionë euro nga llogaritë bankare të shoqërisë ‘Netta shpk’, themeluar nga një italian i identifikuar si Bruno Rollo.
Ky i fundit po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ pasi nëpërmjet llogarisë së kompanisë së tij ka bërë transferta të dyshimta.
Përveç tij, të përfshirë janë edhe tre persona të tjerë, Teodoro Grasso, dhe dy të tjerë të identifikuar me iniciale J.L., dhe B.R, të cilët janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali. Të tre u akuzuan dhe u shpallën fajtorë për mashtrim në përfitimin e fondeve publike.
Në Shqipëri, kompania e tyre kishte si objekt ushtrimin e aktivitetit në ndërtimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e avionëve, anijeve kozmike dhe pajisjeve të tjera të ngjashme.
Njoftimi i Prokurorisë
Sekuestrohen me kërkesë të Prokurorisë Tiranë llogaritë bankare të shoqërisë italiane, dyshime për ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestroi llogaritë bankare të shoqërisë ‘N.’ shpk, themeluar nga shtetasi Italian B.R. më 10.01.2022, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.3695 të vitit 2024, shoqëria në fjalë, e cila ushtron aktivitet në ‘Ndërtim, prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe mirëmbajtje ne terren të avionëve’ rezulton me një aktivitet dhe transferta të dyshimta. Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasit e përfshirë T.G., J.L., dhe B.R, janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zoterojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës. Duke marrë në konsideratë kërkesën për transferimin e fondeve jashtë vendit dhe mungesen e informacionit lidhur me ecurine e likuidimit të detyrimeve, ndodhur edhe përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto pasuri, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit e llogarive bankare të shoqërisë “N.” shpk, në vlerat: – 1,539,490 ALL; – 20,348.24 EUR; dhe – 479.820,56 USD.