Gazetari Artan Hoxha në emisionin Të Paekspozuarit ka komentuar sulmin që një pjesë e medias greke ka bërë ndaj Fredi Belerit, kohë kur jemi në prag të zhvillimit për zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Ai tha se mediat i janë rikthyer çështjes së Bledar Jambellit i cili akuzohej me prova nga drejtësia shqiptare si vrasësi i kryekomisarit Artan Cuku, por gjykata greke nuk i mori në atë kohë parasysh, pasi u ndikua nga një dëshmi e Fredi Belerit duke e liruar.
“Mediat greke kanë bërë një hulumtim dhe është një gazetar i njohur në Greqi dhe ata kanë botuar një cikël shkrimesh duke referuar dhe hetuar se çfarë vendimesh ka marrë drejtësia greke duke përfituar nga fakti se drejtuesi i minoritetit grek është Fredi Beleri dhe ka bërë që të lirohet një person nga burgu që akuzohej si vrarës i kryekomisarit Artan Cukut.
Gazetarët grekë kanë shkuar në gjykatë kanë marrë vendimet, dosjet hetimore dhe kanë shkuar në qeverinë greke dhe kjo e fundit s’ka ditur çfarë përgjigje të japë. Media greke ka arritur të provojë se një nga dëshmitë thelbësore për lirimin e Bledar Jambellit ishte dëshmia e Fredi Belerit i cili deklaronte në statusin e drejtuesit të minoritetit grek në Shqipëri se Jambelli ka kryer një veprim me motive patriotike dhe e cilëson person me ndërgjegje të lartë kombëtare. Media greke thotë si është e mundur që gjykata e lartë merr parasysh dëshmitë e Belerit dhe liron një vrasës dhe s’merr parasysh provat që ka sjellë drejtësia shqiptare.
Pasi Jambelli del nga burgu në 22 janar 2022 bashkë me Kastriot Leci përfshihen në një ngjarje në mes të Athinës ku janë përleshur 8 persona në një krah dhe 5 nga ana tjetër. Një takim tipik mafioz. Në këtë ngjarje janë plagosur 5 persona në Vula të Athinës dhe ngjarja ka krijuar pasoja të mëdha. Pas 5 muajsh është kapur Jambelli dhe tani është në burg”, tha Artan Hoxha.