Kryesore “Turp të të vijë, je dhe burrë malësor”/ Lindita Nikolla përjashton Flamur...

“Turp të të vijë, je dhe burrë malësor”/ Lindita Nikolla përjashton Flamur Nokën nga seanca

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u përjashtua nga seanca, sipas kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për shkak të fjalorit të pahijshëm që përdori në seancë.

“Po më kërcënon? Po kërcënon kryetaren e Kuvendit? Turp të të vijë, je dhe burrë malësor”, iu drejtua Nikolla-Nokës, teksa ky i fundit dhe deputetë të tjerë të opozitës kishin bllokuar foltoren e Kuvendit.

“Kushtetuta dhe rregullorja do respektohet. Ai ka thënë që vetëm Zahon e mbron. Mos kujto se ti do shpëtosh sepse ti po shkell Kushtetutën. E përsëris që je përfaqësuese dinjitoze e narkoshtetit, je dhe fytyra e turpit e këtij parlamenti dhe do hysh në histori si e tillë. Sali Berishën askush nuk e ndalon dot të jetë deputet përsa kohë është në listën e PD si deputet i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe përsa kohë grupi parlamentar ka përcjellë një listë ku janë gjithë deputetët. Asnjë autoritet nuk ke ti mbi këtë grup parlamentar. Grupi parlamentar dhe PD janë sovran në vendimet e tij dhe nuk të pyesin as ty dhe as kreun e narkoregjimit”, tha Noka.

Sherri nisi që nisje të seancës, pasi deputetët e opozitës kërkuan mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama, si dhe regjistrimin e Sali Berishës si deputet i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Nikolla i hodhi poshtë pretendimet e opozitës, çka solli edhe reagimin e tyre.

Për shkak të protestave të deputetëve seanca u ndërpre për herë të dytë, për të rifilluar disa minuta më vonë.