Kancelari gjerman Olaf Scholz u premtoi qytetarëve se do të bënte gjithçka në fuqinë e tij për të siguruar që Gjermania të mos tërhiqej në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, gjatë një fjalimi në parlament.
Deklarata e tij erdhi disa ditë pasi ai autorizoi Kievin të përdorte armët gjermane në territorin rus, një vendim i vonuar prej kohësh nga Berlini për shkak të frikës se mund të përfshinte Gjermaninë në luftë.
“Ne kemi koordinuar nga afër përgjigjen tonë me aleatët tanë. Ashtu siç bëjmë gjithmonë”, u tha Scholz ligjvënësve në Bundestag, ose Dhomën e Ulët të parlamentit.
Pas shqetësimeve të gjata për përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë dhe tërheqjen e Gjermanisë në luftë, Scholz ndryshoi politikën e tij ndaj Ukrainës javën e kaluar duke lejuar qeverinë në Kiev të përdorë armë gjermane për të sulmuar objektivat ushtarakë në territorin rus, veçanërisht për të mbrojtur qytetin, Kharkiv, afër kufirit rus.
Disa vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë së fundmi lëvizje të ngjashme për t’i dhënë Ukrainës më shumë hapësirë në përdorimin e armëve të furnizuara nga perëndimi, pasi më herët këto vende kishin specifikuar se ato duhej të përdoreshin vetëm kundër objektivave brenda Ukrainës.
“Së bashku me partnerët e saj, Gjermania rikonfirmoi të drejtën e Ukrainës sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur veten nga sulmet Rusia”, tha Scholz.
“Kjo është arsyeja pse Ukraina mund të përdorë gjithashtu armët e furnizuara nga ne dhe aleatët tanë – gjithmonë në përputhje me detyrimet ligjore ndërkombëtare”, shtoi ai.