Aktualitet Fituan tenderin e spitalit të Beratit, por nuk asgjësonin mbetjet, arrestohet 30-vjeçari,...

Fituan tenderin e spitalit të Beratit, por nuk asgjësonin mbetjet, arrestohet 30-vjeçari, pezullohen 8 inspektorë

Seksioni i krimit ekonomik në policinë e Tiranës 24 orë pas urdhërarrestit të lëshuar nga Prokuroria ka vënë në pranga 30-vjeçarin Ervis Miri nga Kruja, i cili akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” për të përfituar tendera që konsistonin në asgjësimin e mbetjeve spitalore.

Në kuadër të operacionit “Recycling”, përveç Mirit, janë proceduar në gjendje të lirë edhe administratorët e dy subjekteve të tjera, të cilëve u është ndalur ushtrimi i veprimtarisë financiare.

“Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:  “Arrest në burg”, për shtetasin E. M., 30 vjeç, banues në Krujë (administrator i një subjekti), për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”; “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë financiare”, për shtetasen E. Sh., 45 vjeçe, banuese në Tiranë (administratore e një subjekti), si dhe për shtetasin L. Sh., 39 vjeç (administrator i një subjekti), për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave’”, bën me dije policia.

Tre shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet subjekteve që administronin, kanë shfrytëzuar një tender për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore për spitalin e Beratit.

“Njëri nga subjektet ka fituar tenderin për trajtimin e mbetjeve dhe në dokumentacionin pjesëmarrës në tendera është përdorur një shoqëri tjetër, e cila nuk ka patur teknologjinë e duhur, ndaj mbetjet e një spitali nuk janë asgjësuar sipas procedurës ligjore, për pasojë kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis”, sqarohet nga policia.

Po ashtu janë pezulluar nga detyra 8 inspektorë të institucioneve shtetërore që kanë mbajtur të fshehtë mungesën e pajisjes Econos Tsc 150 që duhej të përdorej për asgjësimin e mbetjeve spitalore dhe nuk kanë raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes “Mangazini”.

“”Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasit J. Sh., 35 vjeçe, E. P., 59 vjeç, A. M., 53 vjeç, N. D., 42 vjeç, A. K., 39 vjeçe, B. L., 30 vjeçe, I. B., 48 vjeç dhe K. A., 33 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale Shpërdorimi i detyrës”, njofton policia.

Ndërkohë, në një njoftim të shpërndarë ditën e djeshme nga Prokuroria e Tiranës nënvizohej se Ervis Miri ka përfituar mbi 200 procedura tenderuese për asgjësim të mbetjeve spitalore, të realizuara nga viti 2016 e në vijim duke dorëzuar dokumentacion të rremë.

Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për Ervis Mirin, administrator i një kompanie, që kishte marrë pjesë në 200 procedura tenderimi përmes dokumenteve të falsifikuara.

Masa e sigurisë i është komunikuar në ambientet e spitalit të Sanatoriumit për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur Miri, i cili akuzohet për “falsifikim dokumentesh”.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, Ervis Miri nuk i ka pasur të gjitha pajisjet për trajtimin e mbetjeve spitalore, ndërsa në shkresa pretendonte se i zotëronte.