Trajneri Sylvinho ka folur pas ndeshjes miqësore ndaj Azerbajxhanit e fituar 3-1 nga Shqipëria, e cila ishte e fundit para Italisë në Europian, më 15 qershor.
Trajneri u shpreh se është shumë i kënaqur deri në këtë fazë, ndërsa theksoi se tashmë do të nisë puna e madhe, ndërsa ekipi do të niset ditën e shtunë drejt Gjermanisë, ku do të vazhdojë fazën përgatitore.
“Sa i përket kësaj periudhe, unë jam i kënaqur. Jemi në fazë përgatitjesh. Kanë ardhur lojtarë me 50 ndeshje, të tjerë me 2 ndeshje. Por edhe lojtarë të dëmtuar. Të gjithë kanë bërë shumë mirë, rezultati nuk ka rëndësi. Nesër do të udhëtojmë për në Gjermani dhe aty nis edhe puna më e madhe”, tha Sylvinho.
Strategjia e lojës? “Kjo periudhë nga tani e tutje do i dedikohet strategjisë së ndeshjes me Italinë. Deri tani kishte rëndësi puna dhe menaxhimi i lojtarëve, gjithashtu forma e tyre”.
Formacioni titullar me Italinë? “Nuk e di… Na presin 7 ditë shumë të rëndësishme për t’u stërvitur e punuar. Nuk mund të them nëse do e nisim me formacionin e sotëm ndaj Italisë, apo me një formacion tjetër”.
Broja-Asani? “Broja dhe Asani vijnë me pak ndeshje. Asani nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare nga janari deri tani. Ka rëndësi për të të luajë dhe të kapë ritmin.
Ai është stërvitur mirë, por nuk luan prej janarit, hiq miqësoret e marsit. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. E zëvendësova sepse donim të provonim diçka tjetër”.