Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf, atdhetar.
Ai lindi në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi.
Familja Marubi, historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm. Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë, që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Gegë Marubi pasi u njoh me fotografinë, që fëmijë, në Dritëshkronjën Marubi, më 1923, shkoi për studime pranë shkollës së Vëllezërve Lumière në Paris. Mbas kthimit më 1927, filloi aktivitetin si fotograf bashkë me të atin.
Në fondin e fotografive të tij, realizuar në studio apo jashtë saj, gjejmë pothuajse çdo element të mundshëm që kishte ndikuar në historinë e Shqipërisë. Filloi të aplikojë në Shqipëri fotografinë në teknikën infra të kuqe.
Fotografia e tij ndryshon prej të atit për sa i përket mungesës së inskenimit të ngjarjes apo faktit, si edhe prej mënyrës së ndriçimit me një kontrast më të madh ku merr forcë drita anësore, disi më kinematografike. Kryesisht fotograf i studios, ai punoi me kërkesë edhe si reporter ngjarjesh të rëndësishme për vendin, si dhe si një dokumentues monumentesh e objektesh të moçme në projekte të ndryshme.
Më 1937 studioja e tij mori medaljen e artë në Fiera del Levante, në Bari. Në vitin 1952 studioja e Marubit kaloi si studio shtetërore nën Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve.
Në vitin 1970 Gegë Marubi i dhuroi shtetit arkivën fotografike të familjes dhe u emërua përgjegjës i saj. Në fototekë u mor me regjistrimin dhe arkivimin e fondit.
La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 51.000 negativë të përmasave të ndryshme në xham dhe në celuloid.