Tentativa e dy personave për të vjedhur një makinë gjatë orëve të natës përfundoi në flakë, në kuptimin e parë të fjalës.
Ishte ora 02:35, kur në fshatin Petresh që ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Tiranë, dy persona i vodhën makinën Ford një 28-vjeçari.
Pikërisht në këtë moment u nisi dhe tersi. Fillimisht pasi u pikasën nga policia. Kjo e fundit u bëri shenjë për të ndaluar, por shoferi sigurisht që nuk iu bind urdhrit dhe vijoi rrugën duke i dhënë gaz makinës.
Ecën derisa Fordi i la… Në fshatin Dopaj, makina u përfshi nga flakët. Në këto kushte 2 hajdutët u detyruan ta braktisnin dhe u larguan.
Ata nuk janë arrestuar ende, por policia thotë se “nga veprimet e para hetimore, si dhe bazuar në informacionet e siguruara, ka krijuar dyshime të arsyeshme për autorët e këtij rasti. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”.