Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin e të shumëkërkuarit Durim Bami. 45-vjeçari u ndalua dy ditë më parë në Dubai të Emirateve të Bashkuara.
Policia thotë se vijon procedura për ekstradimin e Bamit drejt vendit tonë.
“Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, Durim Bami, 45 vjeç”, thuhet në një njoftim për mediat.
Më datë 15 maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Bamit masën ‘arrest me burg’ dhe prej atij momenti ai ishte në kërkim. 45-vjeçari akuzohet për disa vepra të rënda penale, si sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, grup i strukturuar kriminal, kultivim i bimëve narkotike dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.
Sipas dosjes së SPAK, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës.
Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë.