Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për një interpelancë të jashtëzakonshme me kryeministrin Edi Rama. Kërkesa është refuzuar me argumentin se “cenon nderin, jetën private apo personalitetin e një individi apo institucioni”.
“Nuk ia ka dhënë gjykata të drejtën zotërisë në fjalë. Dihet botërisht se Berishës i është ndaluar pjesëmarrja në parlament me vendim gjykate. Nuk vendos kuvendi dhe as nuk vendosni as ju. Kjo interpelancë paraqet çështje që nuk janë në përgjegjësi të këshillit të ministrave. Cenojnë nderin, jetën private apo personalitetin e një individi apo institucioni”, tha Ermonela Felaj.
Nga ana tjetër, demokratët njëzëri kërkojnë që Berisha të vijë në seancë plenare.
“Vendimi juaj, zonja Nikolla tregon edhe njëherë frikën që keni nga Berisha, tmerrin që keni nga fjala e tij, ndaj e refuzoni. Harruat që ai është Sali Berisha dhe nuk ka asgjë në botë që e ndal në mision e tij, aq më pak ju dhe aq më pak Edi Rama. E hoqët nga grupi, i mbajtët peng partinë që ai drejton, e hoqët emrin e partisë së tij si kryetar, ne zgjedhjet e fundit. Ia hoqët emrin si kryetar koalicioni. Lobuat me kombëtar dhe ndërkombëtar për ta hequr nga skena politika. E hetuat 4 vite dhe nuk i gjetët asnjë fakt. E ju çfarë bëtë sot, e mbani në arrest politik, pa akuzë”, tha Albana Vokshi.
“Duhet të njoftonit policinë që Berisha të vijë në seancë, me ardhjen e Berishës në seancë, nuk ka rrezik për prishje të provave”, tha Ina Zhupa.
Socialistët rrëzuan me vota kërkesën e Berishës për disa çështje tenderash të familjes së Ramës.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj Sali Berisha, ka denoncuar në mënyrë të përsëritur faktin se shtetasja Rea Xhillari, e bija e zonjës Linda Rama, bashkëshortes së kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre.
Konkretisht, shtetasja Xhillari ka përfituar nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E, e cila rezulton të jetë një studio projektimi dhe konsulence me qendër në Bruksel dhe Tiranë, ku nga verifikimi në faqen zyrtare të këtij subjekti rezulton se Rea Xhillari ka qenë pjesë e stafit dhe bashkëpunëtore për shumë vite.
Nga ana tjetër, shtetasja Xhillari ka përfituar nga tenderat publike edhe nëpërmjet subjektit tregtar ‘I RI’ sh.p.k., i cili është bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E. Ky i fundit ka qenë bashkëpronar me 50% i shoqërisë ‘I RI’ sh.p.k., deri ne Prill 2023, ku është larguar pas një sërë denoncimesh të bëra nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj zoti Sali Berisha”, thuhej ndër të tjera në kërkesën e Berishës, tashmë si kryetar i PD-së.