Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi masën e sekuestros ndaj pasurive të ish shefit të Forcave Operacionale, Oltion Bistri, i arrestuar nga operacioni “Metamorfoza”.
Përmes dy vendimeve të ndryshme Bistrit i janë sekuestruar një total prej gati 4 milionë euro pasuri, mes të cilave sipërfaqe trualli, njësi tregtare, apartamente dhe një vilë.
Nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:
1– Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
2- Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
3- Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
4- Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
5- Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.
Ndaj Oltion Bistrit, i cili u arrestua në kuadër të operacionit Metamorfoza, rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.