Dy ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi të heqë vulën dhe logon e Partisë Demokratike nga duart e Lulzim Bashës, nga grupi i tij parlamentar ka nisur edhe eksodi i deputetëve.
Basha ende nuk është shprehur qartë se cili do të jetë fati politik i grupimit të tij.
Ndërkohë në krahun tjetër, Sali Berisha prej 48 orësh përsërit thirrjen drejtuar ligjvënësve të dalë nga listat e 2021 për t’u kthyer në shtëpinë e tyre dhe mesazhi duket se ka mbërritur te Eralda Tase Bano.
Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, e cila deri më sot ka qenë pjesë e grupit që drejtohej nga Basha, në një postim në rrjetin social Facebook bën me dije se do të vijojë të përfaqësojë qytetarët që e votuan, nën logon e demokratëve.
“Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, shprehet ajo.
Më tej Bano nënvizon se “rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve”.