Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga një punonjës policie në Himarë, i cili akuzohet për përndjekje dhe dhunë në familje. Policia njofton se ai u arrestua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ndërsa Gjykata e Vlorës kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë personale “Arrest në burg”.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër), në bashkëpunim me DVP Vlorë kanë ndaluar punonjësin e policisë të Komisariatit Himarë F.XH., i dyshuar për kryerjen veprave penale “Përndjekje”, “Dhuna në familje”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”. Kapja e këtij shtetasi u bë e mundur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbi vendndodhjen e tij, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë personale “Arrest në burg””, njofton Policia.
Për këtë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thekson se “vijon procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit nga ata që turpërojnë vlerat e uniformës së Policisë”.