Në konferencën e fundit për media, para sfidës së mbrëmjes së të shtunës në “Signal Iduna Park” përballë Italisë, tekniku i Kombëtares, Sylvinho zbuloi se ka 2-3 dilema për formacionin që do të hedh në fushë.
Tekniku brazilian i kuqezinjve theksoi se për të është një nder të jetë në Euro 2024 me Shqipërinë ndërsa shtoi se do të zbresin në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrin pikë nga çdo ndeshje.
“Para së gjithash jam i lumtur që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë në kualifikuese dhe është nder të jem me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq që kapiteni (Gjimshiti) nuk ka luajtur në 2016, por më vjen mirë për mundësinë që tashmë është dhe e meriton. Ai na përfaqëson shumë mirë. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh.
Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për 2 apo 3 emra të tjerë. Por 11 titullare është thuajse e sigurt.
Kemi shumë shqiptarë nëpër botë, në Gjermani, Italia po Zvicër, për ne është një përgjegjësi e madhe që t’i përfaqësojmë. Stadiumi në masën më të madhe do të jetë kuqezi dhe kjo është përgjegjësi e madhe për ne”.
Sylvinho u ngacmua nga gazetarët për deklaratën e para disa ditëve, ku tha se është i gëzuar që miku i tij nga koha e Interit, Roberto Mancini nuk është më në stolin e të kaltërve.
I pyetur nëse është i lumtur pasi mendon se Italia e Spalletit është më e dobët se ajo e Mancinit, tekniku brazilian tha se “Axurrët” mbeten një top skuadër dhe ata zbresin në fushë për të fituar kompeticionin, ndërsa Shqipëria do të luftojë për çdo pikë.
“Nuk kam folur me Roberton për 6 muajt e fundit. Ai bëri një punë të mrekullueshme duke fituar Europianin. E njoh prej 20 vitesh dhe ekziston diferencë e madhe midis Italisë së tanishme dhe asaj të tij. Italia ka lojtarë të mrekullueshëm. Kanë shpejtësi, shkathtësi. Kanë trajner të mrekullueshëm. Spalleti ka bërë punë të madhe. Italia është një top skuadër dhe kur del në fushë del për t’i fituar të gjithë kompeticionet. Por ne do të bëjmë më të mirën e mundur dhe për të dalë me pikë nga kjo sfidë.”