Ndeshja Itali-Shqipëri, do të ndiqet me shumë interes nga klubet e Serie A, jo sepse në fushë do të zbarkojë kombëtarja e tyre, por më shumë për të ndjekur lojtarët e kombëtares “kuqezi”.
Pasi nga mediet italiane u bë me dije se përfaqësuesit e klubit të Milan-it do të jenë këtë të shtunë në “Signal Iduna Park” për të ndjekur nga afër sulmuesin Armando Broja, së fundi raportohet se një tjetër klub i Serie A ka dërguar drejtorin sportive në këtë stadium.
Juventus ka shfaqur interes të lartë për mbrojtësin Mario Mitaj dhe për këtë arsye drejtori sportiv i “Zonjës së Vjetër” Cristiano Giuntoli do ta ndjek nga afër ndeshjen Itali-Shqipëri, për të parë me vëmendje shqiptarin.
Ndërsa interes të lartë për mbrojtësin “kuqezi” kanë shfaqur edhe Lazio me Bolonjën.
Juventus dëshiron që të marrë sa më shpejt një vendim dhe nëse i pëlqen të vihet në mënyrë të menjëhershme në lëvizje për të bërë të mundur transferimit e Mitajt nga Lokomotiv Moska.
Broja dhe Mitaj pritet që të luajnë si titullarë në sfidën e sotme që Shqipëria do të luajë kundër Italisë në Dortmund në orën 21:00.