Riccardo Calafiori është një nga risitë e Italisë në Euro 2024. Mbrojtësi vjen nga një sezon fantastik me Bolonjën, skuadër me të cilën siguroi një kualifikim historik në Champions League.
Së bashku me Chiesa-n dhe Barella-n, lojtari që po vlerësohet më shumë pas fitores ndaj Shqipërisë është Riccardo Calafiori.
22-vjeçari bëri mirë në fitoren 2-1 kundër Shqipërisë në “Signal Iduna Park”, ndërkohë që i surprizuar ka mbetur Fabio Capello.
Ish-trajneri thekson se Calafiori i kujtoi Sergio Ramos.
“Më impresionoi personaliteti i Calafiorit në Dortmund. Nuk dukej fare si një debutues në Europian. Tregoi shkathtësi me topin në këmbë. Më kujtoi Sergio Ramos, i cili gjithashtu luante në krah në fillimet e tij. E më pas u shndërrua në qendërmbrojtës. Njësoj si Calafiori. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se Ramos nuk ishte aq i ashpër, u bë me kalimin e viteve”, tha Capello.
Megjithatë, mbrojtësi i Bolonjës edhe pse sipas mediave italiane nuk humbi asnjë duel ajror, ishte lojtari të cilit Manaj i vodhi dy herë kohën dhe mund të kishte shënuar nëse Donnarumma nuk do të kishte devijuar topin. Ndërsa në duelin me Brojën, Calafiori u detyrua me këmbë e me duar për ta ndalur dhe në fund u ndëshkua me kartonin e verdhë.
Tashmë, të kaltrit do të ndeshen me Spanjën, ku do të shkojnë me një entuziazëm, ndërsa do të vërtetojnë edhe cilësitë e mbrojtësit të Bolonjës që kërkohet nga Juventus.