“Muri kuqezi” që zëvendësoi atë verdhezi të Dortmundit në “Signal Iduna Park” të shtunën përballë Italisë nuk do të jetë mrekullia e vetme që do të dhurojnë tifozët e kombëtares në Europian.
Nëse në Dortmund u thyen të gjitha rekordet me 50 mijë tifozë shqiptarë në tribuna, spektakli duket i garantuar edhe për ndeshjen me Kroacinë.
Në Hamburg përllogaritjet tregojnë se 30 mijë kuqezinj do të jenë të pranishëm për të mbështetur djemtë e teknikut Silvinjo në Volksparkstadion që ka një kapacitet prej 49 mijë ulësesh.
Përveç tifozëve që do të shkojnë individualisht, do të ketë edhe një marshim në grup drejt stadiumit, i organizuar dhe drejtuar nga tifogrupi më i madh pranë kombëtares, Tifozat Kuqezi.
TKZ nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kanë zbuluar itinerarin që do të ndjekin për të marshuar drejt stadiumit “Volksparkstadion”. Vendtakimi do të jetë në “Jan-Fedder-Promenade” ku grumbullimi i tifozëve do të nisë nga ora 09:00, ndërsa marshimi për në stadium starton në orën 11:45.
Ndërkohë mbrëmjen e sotme, në orën 19:30 midis Tifozave Kuq e Zi dhe tifogrupit zyrtar të kombëtares së Kroacisë do të zhvillohet një ndeshje miqësore në “fan zone” e ngritur në Heiligengeisfeld të Hamburgut.