Kryesore Priti vite për kombëtaren, kush është Qazim Laçi, emigranti që nuk pranoi...

Priti vite për kombëtaren, kush është Qazim Laçi, emigranti që nuk pranoi të ndërronte emrin në Greqi

Qazim Laçi, një fëmijë emigranti lindur e rritur në Greqi, ndoshta nuk e kishte menduar se do të hynte në histori. Familja e autorit të golit të parë në ndeshjen e Shqipërisë përballë Kroacisë, dha gjithçka që djali tyre të vishte fanellën e kombëtares kuqezi.

Futbollisti 28-vjeçar, me origjinë nga Dibra, është rritur në shtetin grek, ku është përballur edhe me paragjykime për të ndryshuar mbiemrin, gjë të cilën nuk e pranoi kurrë dhe as mohoi origjinën.

Tashmë ai e ka shkruar emrin në historinë e kampionatit europian.

Laçi u thirr për  herë të parë me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2020, nga tekniku Edi Reja, ndërkohë që fitoi edhe besimin e Silvinjos, për ta grumbulluar në listën e Kombëtares për ndeshjet e këtij kampionati europian.

Laçi së fundi luan me Spartën e Pragës në Çeki, e cila këtë vit ka zhvilluar një sezon të mirë, duke fituar njëkohësisht edhe Kampionatin vendas edhe Kupën, ndërsa talenti i kombëtares kuqezi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekipin.

Krenarinë e grumbullimit me kombëtaren, Laçi nuk e ka fshehur në asnjë moment, ndërsa pas ndeshjes së djeshme, karikoi djemtë e tjerë të ekipit që të mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv, në ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Spanjës.

“Ashtu si shkoi ndeshja me atë gol në fund, ne e meritonim të paktën një pikë. Ishte performancë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë rëndësi kanë pikët sepse tani kemi më shumë besim, për ndeshjen me Spanjën që do të jetë shumë e vështirë dhe pse jo më pas të mos tentojmë për vendin e dytë apo të tretë”, tha Laçi pas ndeshjes me Kroacinë.