Sport “Ç’më tha pas ndeshjes”, babai i Qazim Laçit: Dy emocione më kanë...

“Ç’më tha pas ndeshjes”, babai i Qazim Laçit: Dy emocione më kanë gëzuar më shumë, lindja e Qazimit dhe goli ndaj Kroacisë

Qazim Laçi ngriti peshë zemrat e tifozëve kuqezi pas golit të parë në barazimin ndaj Kroacisë.

Babai i tij, Emin Laçi, ka folur për “Vizionin e Pasdites” në një lidhje “Skype”. Ai tha se e përjetoi ndeshjen me shumë emocion, teksa rrëfeu se e parandjeu që i biri do të shënonte gol.

“Jam në Gjermani. Isha në stadium. Unë dhe bashkëshortja ime ju falenderojmë pa masë. Ishim të dy në stadium. Ishin emocione të paparashikuara. Isha shumë i bindur që do fitonim me Kroacinë sepse kemi një brez shumë të fortë. Nuk ishim me fat sepse ramë me 3 skuadrat më të forta të Europës. Mirëpo me çunat që kemi, jo sepse është djali im, kemi një brez shumë të artë. Deri më tani dy emocione më kanë gëzuar kaq shumë. Ditën kur lindi Qazimi dhe goli i djeshëm. I kam thënë bashkëshortes, unë e kam parë kur ka shkelmuar topin e parë, do të bëjë gol.

Me shumë ankth, por më ka bërë përshtypje që ishte një ndeshje shumë vëllazërore me ato tifozët e Kroacisë, duke u përqafuar me njëri-tjetrin”, tha ai.

Babai i Qazim Laçit tha se ishte personi i parë që futbollisti telefonoi kur doli nga stadiumi.

“Dje isha personi i parë që mori në telefon kur doli nga stadium, më tha ta prisja një restorant ku po vinte kombëtarja. Me gjysmën e çunave jam shumë i njohur.

Ai gjithmonë thotë që “duhet të kishim pasur pak fat, duhet të kishim fituar ndeshjen, jo se bëra gol unë”. Nuk patëm fat, futbolli kështu është”, tregoi ai, teksa foli për fillimet e të birit në futboll, teksa ishte në emigracion.

“Ne erdhëm në emigracion dhe kur mora nusen, Qazimin ia lamë gjyshërve. Kur erdhi djali në moshën 6 vjeç e çova te një skuadër e lagjes dhe e pashë që kishte talent. Kur bëri 17 vjeç i thashë nuses do ia ndaloj shkollën. Aman babi më tha mos ma ndal futbollin, qante. Në moshën 18-vjeçare iku në Qipro për herë të parë”, tha Emin Laçi.