Në Gelsenkirchen luajti vetëm një skuadër: Spanjë-Itali përfundoi 1-0, por skuadra e Luciano Spalletti vuajti nga fillimi deri në fund ndaj një Spanjë shumë cilësore që fiton grupin B, ndërsa ka edhe një ndeshje për të zhvilluar ndaj Shqipërisë. Axurrëve iu duhet një barazim të hënën kundër Kroacisë për t’u kualifikuar.
“Furia e kuqe” dominoi takimin që në pjesën e parë, por nuk gjeti saktësinë duke bërë që 45 minutat e para të mbylleshin me rrjeta të paprekura.
Me fillimin e fraksionit të dytë, italianët i tradhtoi dhe fati dhe pas një devijimi të Calafiorit, spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 55.
Edhe pas këtij goli, iberikët qëndruan në sulm për të shënuar dhe më shumë. Trajneri Spalletti aktivizoi Zaccagni dhe Reteguin në vend të Chiesa-s dhe Scamaca-s, por asgjë nuk ndryshoi.
Llogaritë në grup mbeten të hapura, Spanja në vendin e parë me 6 pikë, Italia në të dytin me 3 pikë, Shqipëria dhe Kroacia në vendin e tretë dhe të katërt me 1 pikë secila.
Gjithçka do të vendoset në ndeshjet e të hënës Spanjë-Shqipëri dhe Itali-Kroaci.